Ndikimi i Medias në zbatimin e Ligjit Antiduhan...

T’i thuash “Jo duhanit!” ndër shqiptarë, nuk është një mënyrë urdhërore që mund gjejë  zbatim lehtë, nëse marrim parasysh faktin se jemi një popull me mentalitet të fortë duhanpirës  dhe në rënditjen europiane  rradhitemi të dytët për pirjen e duhanit, menjëherë pas turqve që kryesojnë listën.
 
Por nëse NE,  Jo-duhanpirësit,  do të ngremë më shumë zërin për të drejtat tona, për të thithur ajër të pastër aty ku punojmë, jetojmë, ushqehemi dhe kalojmë kohën e lirë, për të mos u ndjerë më të kërcënuar se mushkritë tona ngarkohen çdo ditë  me kimikate kanceroze për shkak të tymosjes së të tjerëve, atëherë Po, udhërorja “Shqipëria Jo Duhanit” merr ton të fortë dhe të zbatueshëm.
 
Shqipëria JO duhanit është një nismë e medias dhe shoqërisë civile me synim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për t’i thënë jo duhanpirjes.
 
Ligji anti-duhan ka patur disa tentativa të mëparshme, por deri më sot, kanë qenë të pasuksesshme. Në këtë kontekst, ne si Lidhje e Gazetarëve të Shëndetit, mendojmë se roli i medias për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës është tejet i rëndësishëm. Jo se kjo nuk është bërë më parë, përkundrazi. Gazetarët kanë qënë të vëmëndshëm ndaj thirrjeve për pasqyrim të takimeve dhe kontrolleve antiduhan, por thellimi i tyre në mesazhe më të forta, identifikimi i përmasave reale të së keqes së këtij fenomeni  dhe ivestigimi i rasteve kur ligji kthehej në mjet përfitimi, asnjëherë nuk janë vënë në prioritet e politikave redaksionale të dhomave të lajmeve.E kjo për shumë arsye, që lidhen në fund po me dëshirën e papërmabjtur për të tymosur.
 
Në perëndim teguesit shkencorë mbi fuqinë dhe rolin e Medias jane te konsiderushem dhe te qartë: fushatat e informimit publik kanë zvogëluar numrin e të rinjve fillestar në duhanpirje,  kanë rritur numrin e duhanpirësve që kanë braktisur duhanin, e kanë bërë marketingun e indurstrisë së duhanit më pak efektive dhe kanë kursyer jetë dhe para për përkujdesje shëndetësore.
 
Vetëm dy vjet më parë Qendra për Parandalimin DHE Kontrollin e Sëmundjeve ne Washington, zhvilloi një fushatë mediatike kombëtare me qëllim zvogëlimin e duhanpirjes, të financuar nga qeveria amerikane. Fushata e quajtur: “Këshilla nga ish duhanpirës” solli nëpër ekrane dhe faqe gazetash ish duhapirës të cilët po përballeshin në jetën e tyrë me sëmundje shkatërruese dhe paaftësi për shkak të përdorimit të Duhanit. Prestigjozja Mjeksore “The Lancet” në një nga vlerësimet e kohëve të fundit evidentoi faktin se fushata e “Këshillave nga ish duhanpirës” siguroi prova të forta se fushata mediatike funksonon.
 
Në mënyrë që ligji të gjejë zbatim në terren - sikurse e kemi vënë re në këto ditë të para të hyrjes së ligjit në fuqi nëpërmjet vëzhgimeve tona- është e nevojshme të rritet informimi i popullatës për masat e ligjit anti-duhan, që mund të prekin cdo abuzues. Por për ta luftuar në thelb fenomenin, ne mendojmë se është e rëndësishme të faktojmë nëpërmjet historive reale, dëmet e pamata që shkaktohen në shëndet nga duhanpirja, për ata që e konsumojnë, por edhe për ne duhanpirësit pasivë, që në fund të ditës ndihen po aq të kërcënuar nga duhani edhe pse mundohen ti qëndrojnë larg atij.
 
Për këtë arsye, do të përcjellim mesazhe të një jetese pa duhan, të Shqipërisë pa duhan, edhe tek brezat e ri, për të ndikuar sadopak në rritjen e një brezi të shëndetshëm, që zgjedh ti thotë JO duhanpirjes.