Gjimnazi Qemal Stafa i thotë “Jo Duhanit!”

Dokumentari “Shqipëria, Të Rinjtë, Duhani” u shfaq sot në gjimnazin Qemal Stafa, një nga gjimnazet më të vjetra të kryeqytetit, i cili vitin e ardhshëm mbush 90 vjet nga dita e parë e hapjes së tij.

Në takimin që Lidhja e Gazetarëve të Shëndetit organizoi me klasat e viteve të dyta mbi një çështje shumë të ndjeshme siç është Duhani, interesi për të dëgjuar dhe parë atë çka thuhet për duhanin dhe duhanpirjen në Shqipëri ishte mjaft i lartë, ndërsa përfshirja në diskutim krijoi mundësi për të ndarë edhe eksperienca shumë personale.

Një djalë nga qyteti i Vlorës, i vendosur me banim në Tiranë pa familjen e tij tha se prej dy vitesh duhani ishte bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së tij dhe shkak për nisjen ishte bërë shoqëria që zuri në kryeqytet. Konsumi i duhanit shkonte edhe në tre paketa në ditë, por sot ka filluar ta rrallojë numrin e tyre. Dita sot për të mbyllet me gjysëm pakete dhe kjo e kishte bërë të ndihej më mirë fizikisht por edhe ekonomikisht.

Një vajzë tha se kishte tymosur rregullisht një vit më parë për shkak të tendencës së grupit të shoqeve me të cilat ajo frekuentonte lokalet dhe mjediset me muzikë. Problemet me të shtëpisë por edhe marrja me sport më vonë e detyruan që të heqë dorë nga ky ves dhe sot ndihet më rehat me veten.

Pjesa dërrmuese e nxënësve pohuan se nuk ishin miq me duhanin, por fenomeni është prezent dhe kjo jo vetëm jashtë dyerve të shkollës por edhe brenda oborrit të saj, në ndonjë cep, në ndonjë orë pushimi, ashtu fshehurazi.

Dokumentari solli terheqje të lartë të vëmëndjes tek mesazhet e pacientit, i cili sot është viktimë e një jete plot halle shëndetësore për shkak të duhanit.

Transmetimi i dokumenatarit u ndoq edhe nga mësues, të cilët vlerësuan praninë e fenomenit të duhanprijes tek nxënësit e tyre dhe domosdoshmërinë e shtimit të takimeve të tilla informuese dhe ndërgjegjësuese për nxënësit.

Ky dokumentar do të vijojë të transmetohet në orë të veçanta edukative nga vetë stafi i mësuesve të kësaj shkolle, në mënyrë të tillë që ai të ndiqet nga të gjithë nxënësit.