Nxënësit e shkollës “Sabaudin Gabrani 2” i thonë “JO Duhanit!”

Pas shkollës 9-vjeçare "Emin Duraku" në Tiranë, LGSH (Lidhja e Gazetarëve të Shëndetësisë) i rikthehet sërish shkollave 9-vjeçare, pasi grupmosha 13-15 vjeç, raportohet të jetë mosha më delikate për nisjen e duhanpirjes.

Dokumentari për pasojat e duhanit u shfaq në shkollën "Sabaudin Gabrani 2" në Tiranë, me pjesëmarrje të klasave të 8-a dhe të 9-a të shkollës. Dokumentari u ndoq me vemendje nga nxënësit dhe në fund të tij, për 40 minuta, u zhvillua një bisedë e hapur nga anëtarët e LGSH-së me nxënësit e shkollës.

Rrëfimi i nxënësve për historitë personale se si kanë filluar të konsumojnë duhan, fillimisht ishte i vështirë, por më pas, disa prej tyre pohuan se e kane nisur duhanin që në moshen 12-13 vjeçare. Vendet ku nxënësit e konsumonin duhanin ishin kryesisht festat mes shokësh e shoqesh, por edhe mjediset e shkollës dhe në lagje.

Elementi i shembujve pozitive të sjellë në dokumentar, se si e kanë lënë duhanin, pati impakt pasi hapi debatin e efekteve në shëndet të duhanpirjes.

Të bënte përshtypje fakti se 14-15 vjeçarët e "Sabaudin Gabranit" njihnin efektet shëndetësore në detaje, duke filluar nga sëmundjet e mushkërive, ato kardio-vaskulare, etj., por edhe efektet "estetike", si plakja e parakohshme apo zverdhja e dhëmbëve.

Diskutimet u fokusuan edhe në vështirësitë e marrjes me sport për shkak të duhanpirjes. Patëm disa shembuj pozitivë të lënies së duhanit për shkak të marrjes me not apo sporte të tjera.