Berati i Një Mbi Një Dritareve i Bashkohet Nismës #ShqiperiaJoDuhanit

U organizua dje (22/11/2014) në Berat takimi i tretë “Shqipëria Jo Duhanit!” – pas atij të Tiranës dhe Korçës, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, Kryebashkiaku z. Fadil Nasufi, Kryetari i Këshllit të Qarkut Berat, z. Petrit Sinaj, deputetë përfaqësues në Kuvend të Rrethit të Beratit znj. Anila Agalliu dhe z. Eduart Bejko, drejtues të tjerë të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, përfaqësues të shoqatave dhe aktorëve të shoqërisë civle, qytetarë dhe aktivistë të Beratit.

Takimi dhe aktivitetet e tjera të Nismës #ShqiperiaJoDuhanit në Berat u organizuan nga një grup nismëtarësh të shoqërisë civile, të drejtuar nga Përfaqësuesja e LSHDNJ, znj. Kozara Kati, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat synojnë rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të opinioit publik për zbatimin e ndryshimeve që kanë hyrë rishtazi në fuqi në Ligjin për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit.

Kështu, në Shëtitoren e Qytetit një grup balerinësh, nxënës të shkollave 9-vjecare të qytetit realizuan një performancë për qytetarët dhe aktivistët e pranishëm në takim, në hapje të ceremonisë zyrtare, ku të ftuarit, autoritetet qendrore e vendore dhanë mesazhe për ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve për uljen e nivelit të duhanpirjes në vend dhe reduktimin e dëmeve ne shëndetin publik nga përdorimi i duhanit, për qytetarët e pranishëm në takim.

Aktivitetet ndërgjegjësuese vijuan paskëtaj me grupin e piktorëve të vegjël, të cilët paraqitën punimet e tyre dhe përgatitën pllakate me temë “Shqipëria Jo Duhanit”, grupi i skulptorëve të shkollës se mesme që demonstruan, po ashtu, punime lidhur me këtë temë, dhe ekipi i basketbollistëve të shkollave të qytetit, që zhvilli lojra me top nën moton “JO Duhanit – PO Sportit – PO Shëndetit”.

Si pjesë e aktiviteteve të fushatë ndërgjegjësuese nën sloganin “Hidh cigaren, Zgjidh Jetën!” një grup aktivistësh, të veshur me uniforma #ShqiperiaJoDuhanit ftuan kalimtarët të fikin cigaret në tasa të mëdhenj, duke shpërndarë edhe sticker-a ndërgjegjësues me këtë temë për qytetarët e pranishëm dhe njësitë tregtare përgjatë pedonales së qytetit.

Gjithashtu, në Qendrën Kulturore te Fëmijëve Berat, me pjesëmarrjen e 120 nxënësve të shkollave 9-vjeçare, u shfaq dokumentari ndërgjegjësues për dëmet e duhanit dhe u diskutua me fëmijët nga gazetarët e Lidhjes së Gazetarë të Shëndetësisë (LGSH) dhe përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, autoriteve vendore e mësuesve të këtyre shkollave.

Ministria e shëndetësisë vijon ndërkohë me organizimin e aktiviteteve të tjera në bashkëpunim me përfaqësues e aktivistë të shoqërisë civile për ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve edhe në qytetet e tjera të vendit me qëllim për uljen e nivelit të duhanpirjes në vend, duke gërshetuar kështu, masat dhe nismat administrative e operacionale të agjencive shtetërore ligjzbatuese me përfshirjen sa më të gjerë të aktorëve të shoqërise civile.

---###---

Për më tepër foto nga takimi, klikoni faqen zyrtare të MSH në Facebook: https://www.facebook.com/media/set/?set=a.643498539094560.1073741887.453892661388483&type=1

dhe Twitter: @BeqajIlir