Gjimnazi “Sami Frashëri” i thotë: “JO Duhanit!”


Shkolla e mesme “Sami Frashëri” ishte institucioni i rradhës që i’u bashkua nismës “Shqipëria JO Duhanit”.

Nxënësit e viteve të dyta të kësaj shkolle treguan një interes mjaft të veçantë ndaj dokumentarit dhe sidomos ndaj pacientit i cili prej vitesh vuan nga probleme të mushkërive, ndërkohë që vetë ishin të ndërgjegjshëm për pasojat negative që shkakton duhani.

Në grupimin e nxënësve që ishin pjesë e aktivitetit “Shqipëria JO Duhanit” asnjë prej të rinjve nuk pohoi se kishte konsumuar duhan, pavarësisht se ai mund t’u ishte ofruar në ambiente të ndryshme ku ata kalojnë kohën e lirë. Ky fakt u pohua edhe nga vetë mësuesit të cilët theksuan se në gjimnazin “Sami Frashëri” për shkak të numrit të lartë të nxënësve përballesh me dy lloj realitetesh. Një që është ai i nxënësve të cilët nuk e kanë provuar duhanin, dhe tjetri i nxënësve të cilët në orët e mëngjesit i drejtohen shkollës me paketë në xhep. Sipas mësues së biologjisë e cila ishte e pranishme gjatë aktivitetit, rreth 10 % e nxënësve të kësaj klase mund të kishin provuar duhanin, por nuk ishin konsumues të rregullt.

Nga ana tjetër historitë personale të të rinjve me bashkëmoshatarë të cilët konsumonin cigare ishin të pafundme. Sipas tyre, këta e rinj e marrin këtë ves për tu dukur më të rritur apo për të qenë më “trendy” në grupet shoqërore ku ata bëjnë pjesë.

Në fund të gjithë nxënësit i’u bashkuan nismës “Shqipëria JO Duhanit” duke mbështetur shoqërinë civile por edhe fushatën e gjerë që po kryhet nga Ministria e Shëndetësisë.