Gjimnazi "Mahir Domi" në Elbasan i thotë “JO Duhanit!”

Është një nga gjimnazet që dy vjet më parë ka qënë ndër më problematikët në këtë qytet, përsa i përket marrëdhënies së nxënësve të tij me duhanin, alkolin dhe drogën. Kështu na shprehet drejtoresha e këtij gjimnazi Burbuqe Toska, e cila me një krenari modeste, thotë se këto probleme sot janë shuar në 90% të rasteve. 

Të fokusuar në misionin e ndërgjegjësimit për parandalimin e duhanpirjes tek të rinjtë, gazetarët e Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetësisë, u takuan më një grup nxënësish, pjesë të klasave ndryshme dhe një klasë të plotë e vitit të 11-të, me të cilët ndamë një orë mësimi aktive mbi duhanin dhe gjithçka rreth këtij vesi. 

Shumë prej nxënësve në këtë shkollë pohuan se duhani është një ves që është bërë pronë e shumë prej gjimnazistëve në vitet e dyta dhe treta. Kjo ndodhte edhe gjatë orarit të pushimit të madh dhe cigaret gjendeshin me lehtësi shumë pranë portës hyrëse në oborrin e shkollës. 

Vesi niste si kuriozitet dhe në më të shumtën e rasteve i nxitur nga grupi i shoqërisë. Disa prej nxënësve në takim, pohuan se e kishin provuar por kishin hequr dorë që në rastin e parë për shkak të mospëlqimit të shijes dhe tymit. 

Një djalë, pjesë edhe e ansamblit të këngëve dhe valleve për të rinjtë e qytetit të Elbasani tha se të qënurit artist, valltar nuk e kishte afruar kurrë me duhanin dhe ky ishte tipar i githë grupit të tij të shoqërisë. Ai pohoi se as nuk do shkatërronte kurrë një marrëdhënie aq të bukur me vallen për një ves aq dëmprurës. 

Një nxënëse e klasës së 11-të tha se kishte qënë e detyruar të tymoste në moshën 12 vjeç, për shkak të rekomandimit të mjekut. Një problem me hemorragjinë e vazhdueshme nga hundët për shkak të mukozave të brendshme shumë delikate, i kishte imponuar duhapirje për një kohë rreth 1 muaj, duke I sjell forcim të mukozave dhe eleminim të problemit.Por kjo eksperiencë e shkurtër i kishte lënë një shije të hidhur, pasi ajo e kujtonte duhanin si diçka “shumë të shpifur”. 

Disa prej nxënësve pohuan se duhani ishte të pranishëm edhe në shtëpitë e tyre në shumë raste për shkak të familjarëve duhanpirës. Një vajzë pohoi se ishte e detyruar të hynte në konflikte “pozitive” me dajën pasi ai tymoste me duhan të dredhur dhe kjo i shkaktonte probleme me frymëmarrjen.

Nxënësit ndoqën me shumë kureshtje dokumetarin e përgatitur nga LGSH-ja për duhanin duke u mbresuar shumë për fatin e pacientit 60-vjeçar dhe mesazhet e dhëna nga gazetari Marin Mema dhe Bonald Përkola, aktor. Gjimnazistët pohuan se këto mesazhe u përkthyen në reflektime të forta tek ata për marrëdhënien me duhanin.