Kukësi i bashkohet #ShqipëriaJoDuhanit

Kukësi i bashkohet #ShqipëriaJoDuhanit

Kukës, 24/04/2015 – Takimi i pestë “Shqipëria Jo Duhanit!” – pas atyre të Tiranës, Korçës, Beratit dhe Vlorës, – u organizua më dt. 24/04/2015 në qytetin e Kukësit nga një grup nismëtarësh i shoqërisë civile, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Në qendrën e qytetit verior, me pjesëmarrjen e disa nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Kukësit u zhvilluan disa aktivitete sportive, përfshirë lojra volejbolli, ushtrime gjimnastikore, lojra argëtuese me motive folklorike të zonës, etj., në mbeshtetje të Nismës #ShqiperiaJoDuhanit, duke përcjellë një mesazh edukues për uljen e nivelit të duhanpirjes në vend dhe zgjedhjen e aktiviteteve sportive, nën moton “Unë zgjedh shëndetin!”

Në takimin, i cili synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të opinionit publik për zbatimin e ndryshimeve që kanë hyrë rishtazi në fuqi në Ligjin për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, si dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, sistemit të kujdesit shëndetësor dhe qytetarë të Kukësit.

 “Unë besoj se është shumë e rëndësishme të dekurajojmë rininë nga duhanpirja,” – tha midis të tjerash në fjalën e tij për të pranishmit, Ministri Beqaj, duke shtuar se “ne do të përpiqemi se sa më shumë të rinj të mos e fillojnë këtë gjë, apo ta fillojnë këtë gjë,” duke falënderuar qytetarët e Kukësit për zbatimin vullnetar të suksesshëm të ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit.

“Ajo çfarë kemi arritur me zbatimin e këtij ligji në Kukës edhe në gjithë Shqipërinë, është në radhë të parë përpjekje e të gjithë qytetarëve për të zbatuar ligjin, për tu kthyer tek ligjshmëria dhe padyshim për të treguar kujdesin e tyre edhe për shëndetin,” – tha më tej ai. Së dyti, theksoi ministri, “një falenderim i shkon padyshim edhe subjekteve të ndryshme, të cilët edhe pse me hezitimet e momenteve të para për problemet e tyre komerciale e kanë pranuar dhe  e zbatojnë me rigorozitet përgjithësisht, dhe strukturat që merren drejtpërdrejtë në Kukës, edhe për mbështetjen që prefektura dhe bashkia i kanë dhënë këtij proçesi”.

Duke u ndalur tek puna e institucioneve të kujdesit shëndetësor në vend në këtë drejtim, kreu i shëndetësisë theksoi se jemi përpjekur së pari të bëjmë dy gjëra: “Të kërkojmë një zbatim rigoroz të ligjit dhe të përpiqemi që ky zbatim të jetë uniform, pra të mos kthehet ky ligj në zbatimin e tij në mënyrë preferenciale, qoftë për tu keqpërdorur për qëllime politike, apo konkurence të pandershme”.

Jemi të vendosur që të mbrojmë shëndetin nga duhani, sepse është tashmë e provuar në Botë dhe në Shqipëri, se duhani është një nga shkaktarët kryesorë të rritjes së sëmundshmërisë, të shkurtimit të viteve të shëndetshme të jetës, dhe sidomos në dy grup sëmundjet kryesore: sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet tumorale, vazhdoi më tej z. Beqaj.

Sigurisht që, edhe kjo nuk mjafton! Duhet që rinia dhe gjithë popullata të bëjnë më shumë aktivitet fizik, dhe unë mendoj se në këtë moment, mënyra më e bukur për të mbyllur këtë aktivitet, është t’i riftojmë vajzat e vogla që të vazhdojnë të ekzekutojnë vallet e tyre, e mbylli fjalën e tij për të pranishmit z. Beqaj.

Ndërkohë, rrugëtimi i takimeve në kuadrin e nismës #ShqipëriaJoDuhanit do të vijojë edhe me qytete të tjera në vend.