Korça i Bashkohet Nismës “Shqipëria Jo Duhanit”

"Shqipëria Jo Duhanit", nismë e shoqërisë civile e nisur në fillim të muajit shtator është konkretizuar në qytetin e Korçës ku së bashku me pjesëmarrësit ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj. Ministri Beqaj, por edhe drejtues e përfaqësuesë të administratës të qytetit juglindor janë ndalur në një takim të hapur në qendër të qytetit për të përcjellë idenë e kësaj nisme dhe mbështetjen e tyre.

Në vijim të aktiviteteve në mbështetje të Nismës “Shqipëria Jo Duhanit”, ditën e Premte (dt. 10/10/2014) dhe të Shtunë (dt. 11/20/2014) në qytetin e Korçës u zhvilluan një sere aktivitetesh me pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile, autoriteteve vendore e përfaqësuesve të agjencive ligjzbatuese të ngarkuara me ligj për zbatimin e ligjit anti-duhan, si dhe nxënësve të shkollave 9-vjeçare lidhur me ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve për nevojën dhe dobishmërinë e uljes së nivelit të duhanpirjes në vend, dhe si rrjedhojë, edhe dëmtimeve të shëndetit publik nga përdorimi i duhanit.

Beqaj theksoi për të pranishmit se kjo nismë që synon mbrojtjen e shëndetit të shqiptarëve ka në mbështetje edhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen nga duhanpirja. Më tej pjesëmarrësit kanë ecur në mënyrë simbolike për sensiblizim përgjatë pedonales së qytetit të Korcës, me moton “Ne Zgjedhim Shëndetin” për mbështetjen e nismës nga sportistet e Klubit Shumësportësh të Korçës, së cilës i’u bashkua edhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe drejtues të tjerë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend dhe autoritetet vendore.

Kështu, në bibliotekën e qytetit të Korçës, me pjesëmarrjen e 120 nxënësve të shkollave 9-vjecare, u shfaq dokumentari ndërgjegjësues për dëmet e duhanit, ku folën gazetarët e Lidhjes së Gazetarë të Shëndetësisë (LGSH), përfaqësues nga ISSH-ja (Drejtorite Rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor) dhe përfaqësues të tjerë vendorë.

Gjithashtu, përfaqësuesit e shoqërisë civile organizuan edhe aktivitete të tjera në kuadrin e fushatës ndërgjegjësuese nën sloganin “Hidh cigaren, Zgjidh Jetën!” Një grup aktivistësh, të pozicionuar në një stendë të madhe ndërgjegjësuese me këtë slogan, ftuan kalimtarët të fikin cigaret në tasa të mëdhenj, me të njëjtin mbishkrim dhe në këmbim të këtij gjesti i’u dhuruan lule dhe pankarta me mbishkrimin #ShqiperiaJoDuhanit.

Mbyllja e programit Në fund të aktiviteteve, u zhvillua një konferencë e improvizuar për media, ku folësit dhe aktivistët përcollën mesazhet për vazhdimin e punës për ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve për uljen e nivelit të duhanpirjes në vend, dhe si rrjedhojë, dëmtimet e shëndetit publik nga përdorimi i duhanit, duke gërshetuar masat dhe nismat administrative e operacionale të agjencive shtetërore ligjzbatuese me përfshirjen sa më të gjerë të aktorëve të shoqërise civile.