Gjimnazi Partizani i thotë JO DUHANIT!

Dokumentari i Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetit (LGSH) per pasojat e duhanpirjes u shfaq sot në Shkollën e Mesme të Përgjithshme "Partizani" në Tiranë, me pjesemarrjen e nxënësve të viteve të dyta të shkollës. Pikërisht, mosha e tyre 17-vjeçare, është edhe mosha që raportohet më së shumti si mosha e nisjes së duhanpirjes nga personazhet e dokumentarit të pergatitur nga LGSH-ja, por është edhe grupmosha që sipas të dhënave të ISHP-së, nis duhanpirja.

Dokumentari u ndoq me vëmendje nga nxënësit, dhe në fund të tij, u zhvillua për 45 minuta një bisedë e hapur ndërmjet anëtarëve të LGSH-së dhe nxënësve, në prani edhe të psikologes së shkollës. Rrëfimi i nxënësve për historitv personale se si kanë filluar të konsumojnë duhan, fillimisht ishte i vështirë, por më së shumti pranohej lehtësisht për shoqe ose shokë që njihnin, të cilët ishin duhanpirës të rregullt, madje disa prej tyre, që në klasen e shtatë. Fillimisht, pranohej se e kanë nisur për modë dhe grupmosha më delikate konsiderohej nga vetë nxënësit - kalimi nga cikli 9-vjeçar në gjimnaz.

Siç u shpreh një prej nxënëseve, unë në klase të 9-të isha më e rritura e shkollës, kur erdha këtu isha më e vogla, duke evidentuar duhanpirjen si një mënyrë për t’u ndjerë më i rritur. Më interesant ishte rrëfimi i njërës prej nxënëseve, e cila pranoi se konsumonte rregullisht duhan prej dy vjetësh, pas një fatkeqësie që i kishte ndodhur te njerëzit e afërm.

Në fund të bisedave, vetë 17-vjeçarja pohoi se e kupton se këto pasoja që pa në dokumentar mund të jenë tek ajo nesër, për më tepër duke patur një histori familjare me të afërm që kanë patur pasoja fatale nga duhanpirja.

Elementi i shembujve pozitivë të sjellë në dokumentar, se si e kanë lënë duhanin, pati impaktin më të madh. Gjithashtu, mesazhet e të rinjve të percjella në dokumentar, se duhani nuk të bën "cool" u reflektuan në bashkëbisedimet me të rinjtë.