Gjimnazi Ismail Qemali në Tiranë i thotë: “Jo Duhanit!”

Dokumentari “Shqipëria, Të Rinjtë, Duhani” u shfaq sot (28/10/2014) në gjimnazin Ismail Qemali në Tiranë, një shkollë e populluar nga rreth 2000 nxënës nga kryeqyteti dhe rrethinat e tij. Në mjediset e amfiteatrit të kësaj shkolle, nxnësit e klasave të 11-ta ndoqën dokumentarin e përgatitur nga Lidhja e Gazetarëve të Shëndetit, si dhe u përfshinë në diskutime me gazetarët mbi duhanpirjen mes tyre.

Një vajzë 17 vjeçare u shpreh se ishte rritur me tymin e duhanit nëpër shtëpi, për shkak se babai i saj ishte duhanpirës. Vitin e kaluar disa shoqe të saj e kishin ftuar gjatë një feste ta provonte, por pas tentativave të para, nuk kishte gjetur përshtatje me tymosjen. Pas atij momenti nuk kishte tentuar më dhe sot ishte kundërshtuese e fortë edhe ndaj tymosjes së babait në shtëpi, duke e detyruar atë që të paktën në mjediset e shtëpisë ta kufizojë duhanpirjen.

Ndërsa Kreshniku, një djalë 17 vjeç , shumë aktiv gjatë takimit të zhvilluar sot, u tregua i hapur me ne. Ai ishte duhanpirës i rregullt, dhe madje i pajisur çdo ditë me paketë duhani në xhep. “Kam një vit që pi duhan. Kam patur raste që e kam mbaruar edhe një paketë në ditë. Më duket sikur e kam pak psikologjike. Ka ditë që nuk e duroj dot duhanin, por ka ditë që e kërkoj shumë atë. E di që nuk është ves i mirë, por ç'të bëj, nuk po e lë dot. Edhe kur kam tentuar ta lë, të nesërmen më është pirë më shumë. Në shtëpi e mbajtja të fshehtë nja një vit, pastaj më zbuluan. Më thanë që je shumë i vogël dhe i premtova që do ta lë. Por kur më kapën përsëri, u bë keq puna” - përfundon Kreshniku.

Ndërsa një shok i tij tha se kishte pirë duhan një vit më parë por jo rregullisht. Kjo ndodhte vetëm nëpër organizime me shoqërinë kur mblidheshin për argëtim.

“Kam provuar disa herë. Por sot nuk e pi më. E piva se është bërë si modë. Të duket vetja si jashtë mode kur nuk e pi. Por më vonë, e kupton që ja ke fut kot dhe se nuk ja vlen”. Pyetjes sonë se si ja bëjnë për të fshehur gjurmën në shtëpi , ata ju përgjigjen: “ Përdorim parfum, çamçakëz dhe dezinfektues duarsh para se të futemi në shtëpi.”

Një vajzë e vitit të tretë thotë se kishte qënë duhanpirëse disa muaj vitin e kaluar dhe kjo për shkak të shoqërisë, por këtë vit, marrja me sport ja kishte ndaluar këtë gjë, dhe sot ndihej mrekullisht mirë me trupin e saj. Ndërsa shoqja e saj tha se ishte rritur duke parë gjyshen e saj që ka tymor deri në moshën 80-vjeç dhe ishte bezdisur aq shumë nga kjo gjë sa sot nuk e duronte dot erën e duhanit.

Stomatologia e shkollës znj. Bitri , e cila ndoqi nga afër këtë takim, u shpreh se nxënësit reflektojnë interes shumë të madh në drejtim të higjenës së gojës. “Eshtë vështirë, shprehet ajo, të gjesh nxënës me dhëmbë të palarë dhe të pa trajtuar, ndërkohë që në lidhje me fenomenin e duhanit, ajo thotë se ndodh më shumë gjatë orëve të pushimit, teksa mblidhen bashkë të cepi i shkollës dhe tymosin cigaret e blera më paratë që u japin prindërit.”

Dokumentari mbi duhanin solli reflektim tek shumë nxënës. Personazhi i pacientit që sot vuan nga “Spoku” në mushkëri për shkak të duhanpirjes, ishte befasues për ata. 

Dokumentari, do të vijojë të transmetohet në ditët në vijim nga vetë stafi I mësuesve të kësaj shkolle në formën e orëve edukative duke vijuar kështu fushatën “Shqipëri Jo Duhanit” në të gjitha klasat e kësaj shkolle.